Endrit Hoxhaj: Shqipëria kishte pak modë, por tani s’ka fare

Moda në Shqipëri është në pikën më kritike të saj. Funksionimi i agjencive të modelingut, modelet dhe modelët shqiptarë… Të jesh mashkull dhe të duash të futesh në industrinë e modës në Shqipëri është e pamundur.

Nga Endrit Hoxhaj

Në vendin tonë janë të paktë stilistët që dizajnojnë për meshkuj. Për arsye ekonomike, meshkujt shqiptarë nuk kanë stil në të veshur dhe nuk janë Capture28ndjekës të mirë të modës. Kur nuk ke para, s’ke as si e ndjek modën dhe të jesh koherent në stil. Duke mos pasur stilist për meshkuj, s’ka as modelë.

Është e çuditshme. Stilistët shqiptarë paguajnë shuma të mëdha për të realizuar një “photoshooting”, por nuk paguajnë fare për një model apo modele, po ashtu nuk paguajnë as për reklamimin e produktit të tyre në media, më saktë kanë një marketing të varfër ose nuk e kanë fare atë. Është e lehtë për një femër të hyjë në botën e modës në Shqipëri, madje ky hap është tepër i thjeshtë për t’u hedhur nga të gjitha vajzat, që duan ta ndjekin këtë rrugë… Agjencitë e modelingut, të cilat janë pafundme në Shqipëri, ofrojnë mundësi të shumta për femrat. Deri këtu gjërat funksionojnë mrekullisht. Problemi qëndron te vazhdimësia e kësaj pune. Në rastet e kompeticioneve të bukurisë kemi vërejtur që gjithnjë është zgjedhur dikush që se ka merituar fitoren.

Po të vëmë re miset dhe modelet shqiptare, ato të gjitha janë me ndërhyrje kirurgjikale, ç’ka do të thotë që arsyet e mësipërme ekzistojnë dhe provohen lehtësisht… Duke qenë se kështu funksionon shpesh, vajzat me bukuri të vërtetë natyrale nuk janë modelet e dëshiruara. Ato nuk merren në konsideratë për të qenë pjesë e modës, pasi nuk pranojnë kompromise. Duhet thënë se janë të pakta modelet në Shqipëri që i përmbushim parametrat dhe arrijnë sukses me pastërti dhe aftësi… Dhe kështu, kompanitë zgjedhin rrugën më të shkurtër, marrin mikeshat e tyre të rekomanduara. Vajzat nuk paguhen për shkak të ndërmjetësimeve të bëra ose i paguajnë pak. Kështu, agjencitë e modës dalin nga loja. Por sa stilistë (dizajnues mode) ka Shqipëria? Ata janë shumë-shumë pak! Nëse Shqipëria do të kishte stilistë, do kishte edhe modë, edhe agjenci të mirëfillta, edhe modele apo modelë. Stilistë shqiptarë vet-krijues janë shumë pak, shumica tyre kopjojnë nga të huajt ose marrin rroba të gatshme në butik dhe u ndryshojnë disa detaje.

E kështu ata vetëquhen stilistë! Përmes këtij vëzhgimi dua të shtroj edhe pyetjen: Sa evente mode organizohen në Shqipëri? Shqipëria nuk ka një organizim të javës së modës. Shqipëria ka vetëm “Fashion Party”, ku disa modele rruge, jo agjencish, shkojnë në një klub nate dhe kërcejnë për tre mijë lekë të reja. Dhe ky “Fashion Party” bëhet nga disa “organizatorë” amatorë. Në fakt s’mund të themi se nuk ka pasur organizime të suksesshme vitet e shkuara, por theksoj që këto tre vitet e fundit, nuk ka pasur dhe ndoshta nuk do të ketë as në të ardhmen (me sa duket). Disa “organizatorë” zgjohen në mëngjes dhe thonë, “Do bëjmë këtë apo atë”.

Dhe rezultati është nxjerrja e një “modeleje” të sponsorizuar. Hidhen pak lekë, bëhet një “Fashion Party” dhe thonë organizuam këtë event, duke e hiporbolizuar mediatikisht. Nëse bëjmë një llogari të shkollave të modës, agjencive të modelingut, modeleve, dhe organizatorëve, do habiteni, sepse do dalë gjithë popullsia jonë si organizatore, model/e, stilist/esh, duke shtuar mes tyre edhe një numër jo të vogël “producentësh”. Pra, me një fjalë kuptojmë fare mirë në ç’nivele jemi ne shqiptarët dhe çfarë “produktesh” kemi. Me keqardhje them se, Shqipëria kishte pak modë, por tani s’ka fare dhe është vështirë të rikuperohet dhe rregullohet tregu i saj.

Sharing is caring!