Endrit Hoxhaj: Vajzat për një klip, spot apo film, nuk mund të merren nga rruga

Nga Anxhela Devole

Endrit Hoxhaj nuk është një emër i panjohur për të pasionuarit pas boksit dhe modës. Ai ka eksperimentuar në fusha të ndryshme, në modë dhe në sport. Ai vjen në një rrëfim lidhur me tendencat e modës në Shqipëri, por “revoltohet” kur i duhet të krahasojë modën e vendit tonë, me atë të shteteve të tjera. Lidhur me shqiptarët, a kanë stil në të veshur apo jo, Hoxhaj shprehet se, është mjaft e vështirë për ta të vishen sipas tendencave të fundit, pasi pagesat për punët që ata kryejnë janë shumë të vogla. Megjithatë, kur bëhet fjalë për stilin, jo gjithmonë duhen para. Ajo që e shqetëson më së shumti Endritin është imazhi i vajzave, të cilat e “shesin” falas, ose ndonjëherë edhe duhet të paguajnë që të bëhen pjesë e seteve të ndryshme. Në këtë intervistë, ai flet jo vetëm për modën, por edhe për pasionin e tij, të cilin dikur e ka pasur profesion. Boksin. Pse u largua dhe a do të ketë një rikthim në këtë sport, zbulojeni në intervistën e Endrit Hoxhajt.

Për ata që e dëgjojnë për herë të parë emrin tuaj, kush është Endrit Hoxhaj?

Unë jam një ish-sportist me një karrierë të pasur në boks, mundje dhe basketboll. Po ashtu kam qenë pjesë e shumë reklamave dhe spoteve të ndryshme publicitare, si brenda edhe jashtë vendi, agjent mode për disa agjenci në Milano dhe për shumë vite kam qenë agjent për agjenci mode në Kosovë, Shqipëri, Malin e Zi e Maqedoni. Jam marrë dhe me ndërmjetësim biznesesh dhe investitorë të huaj. Merrem me modë prej një kohë të gjatë, ku kam pasur edhe dy agjenci mode. Origjina ime është nga Tropoja dhe karakterin e gëzoj nga ai vend.

Ke korrur sukses në fushën e modës. Si do ta përshkruaje këtë eksperiencë?

Suksesi vjen nga pasioni, sinqeriteti në punë, po ashtu dhe bashkëpunimet me të tjerë persona si vetja… Eksperienca ime në këtë fushë është tepër e kënaqshme dhe më ka dhënë besim për t’i dhënë një infrastrukturë të re me sa më shumë “korsi” modës dhe atyre gjërave që unë posedoj. Duke qenë pjesë e modës dhe sporteve të renda, si boksi ku kam kaluar 5 vite në këtë sport, më ka bërë të jem më i kujdesshëm ndaj delikates dhe forcën fizike ta kthej në forcë mendimi dhe argumentimi.

Me çfarë merresh aktualisht?

Aktualisht po merrem me një revistë “online”, e cila është e fokusuar vetëm në modë dhe përpiqemi të gjejmë modën shqiptare dhe këshillimin nëpërmjet lajmeve që sugjerojmë. Po ashtu po ushtroj paksa edhe pasionin tim për boksin në kohën e lirë. Duke qenë se sot blihetshitet, lexohet-shkruhet, merret-jepet, çdo gjë “online” dhe në kohë reale, kam menduar që të fokusohemi më shumë tek tregu “online” si për një “Tv fashion”, po ashtu dhe blerjen e revistës.

A ka të ardhme moda në Shqipëri, apo gjithmonë do të jemi një hap mbrapa nga vendet e tjera?

E ardhmja e modës shqiptare duket në errësirë dhe pa shpresa pasi po të vërejmë sot modelet po paguajnë të dalin në media e reklama në vend që imazhi i tyre të blihet dhe këto ta shesin, pra ndodh e kundërta. Shqiptarët thonë kemi mode dhe modele, sepse dinë dy emra stilistësh shqiptarë që jetojnë jashtë e po ashtu dhe modelesh. E vërtetë, ata janë shqiptarë, por e kanë krijuar karrierën e tyre jashtë vendit, çka do të thotë se në Shqipëri kurrë nuk do ishin të tillë dhe ja pse duhet të mos i marrim parasysh ata pasi ne jetojmë në Shqipëri dhe duhet të flasim për modën në Shqipëri. Uroj që këto pak media, gazetarë, stilistë e modelë që jetojnë jashtë të lobojnë për të suportuar çdokënd që merret me modë dhe për ta ngritur modën shqiptare në nivele evropiane, le te shpresojmë. Jemi shumë mbrapa krahasuar me vendet tjera, më vjen keq që ta them, por jemi edhe pas Kosovës pasi Shqipëria nuk ka një organizim të eventeve të tjera që duhet të jenë në kalendarin e vitit, ndoshta kjo vjen sepse shqiptarët e Kosovës kanë lëvizur më herët se ne në Evropë e kontinente të tjera. Nuk mund të bësh modë, as modeling në Shqipëri, është shumë e vështirë. E kam shprehur shpesh dhe do e shpreh gjithnjë sa të kem mundësi, nuk mund të marrësh për një klip, spot, film apo në ekran vajza nga rruga vetëm për mos të paguar dhe të ecë në këtë linjë modelingu në këtë vend. Nuk mund të ketë modë kur s’ka stilist që prodhojnë për të shitur, por qepin për matura. Në qoftë së nuk ka stilistë të mirëfilltë dhe modele të afirmuara, nuk ka modë. Si mund të ketë modeling kur 90 për qind e vajzave thonë “Jemi modele”, kur nuk kanë bërë asnjë kurs e as nuk e dinë çfarë do të thotë kjo fjalë.

Si vishen shqiptarët?

Përpiqen të jenë koherent dhe në modë, por është e vështirë pasi ndikon dhe ana ekonomike dhe kultura e vetë modës në Shqipëri. Nuk ka si të vishen, kur nuk paguajnë dot dritat dhe ku rroga mesatare është 30 mijë lekë dhe kur vetëm një çantë kushton 10 mijë lekë. Por gjithsesi, falë informacioneve të pakta që marrin nga mediet, shqiptarët përpiqen dhe ka ndryshime në këtë aspekt. Por gjithmonë vishen me marka të huaja dhe jo nga stilistë shqiptarë apo ndonjë markë shqiptare.

Si duhet të jenë rregullat e veshjes sipas gjykimit tuaj?

Pa dashur të ofendoj apo gjykoj, mund të them se për shqiptarët jemi te këto rregulla: të vishen sipas stinës, sipas orës dhe sipas kohës. Sepse vërejmë që në “Bllok” nuk ka rëndësi ora, koha, stina. Aty “kërcet” minifundi dhe takat.

Keni një të shkuar si boksier dhe kampion 5 vite rresht në boks. Pse u shkëputët nga ringu?

Të qenët boksier do të thotë mos të kesh kohë për gjë tjetër pasi unë bëja dy herë në ditë palestër, në mëngjes dhe pasditeve. Nisi si një pasion dhe u bë profesion deri diku, por duke qenë se unë arrita të isha kampion i dyfishtë Shqipëri-Kosovë dhe nuk merrja asgjë veç diplomave dhe medaljeve nuk mund te vazhdoja të rrija më shumë se pesë vite në këtë sport, pasi me kalimin e kohës vinë edhe përgjegjësi të tjera ndaj vetes dhe familjes.

Disa nga momentet më të bukura që ruani nga ringu?

Momente të bukura në boks janë shumë pasi në çdo ndeshje mua më kanë mbështetur shumë bashkëqytetar dhe babai im, në çdo ndeshje. Por veç kësaj do përmendja ndeshjen në Graçanicë kundër serbit, ku fitova, ndeshjen me maqedonasin, e cila u shoqërua me dhunë për shkak të simboleve që unë mbaja. Po ashtu ruaj në memorien time një ndeshje në Durrës, të cilën e kam mbyllur për 30 sekonda. Pa diskutim nuk mund të harroj as ndeshjen e parë që kam bërë në këtë sport.

Tashmë jeni fokusuar vetëm te moda?

Le te themi se po, pasi çdo gjë që unë merrem ka të bëjë me modën, po ashtu edhe me promovime të personave të ndryshëm që merren me modë në jetën e tyre. Kur kam kohë, siç e thashë, ushtroj pasionin tim për boksin.

Planet e tua të afërta?

Planet janë të shumta, por mendoj që me një media dhe agjenci ndërkombëtare të fokusohem për momentin. Gjithashtu mendoj që shumë shpejt mund të largohem nga Shqipëria drejt SHBA-ve për të investuar më shumë në këtë industri (modën).

Sharing is caring!