A përfaqësohesh dhe ti nga Kakistokracia ?!

Përfaqësohemi nga njerëz të pashkollë, që nuk dinë të shkruajnë dhe flasin mirë shqip, me diploma dhe mastera falsë apo doktoratura plagjiaturë… Këta “intelektualë” janë kriminelët, mbështetës të partive të mëdha e të vogla, aktualisht deputetë në parlament, pikërisht në foltoren e shenjtë kombëtare, për të përfaqësuar interesat e popullit. Në fakt, ata bëjnë ligje për të mbrojtur veten, familjen dhe pasuritë e tyre. Sot njerëzit më të pasur të Shqipërisë janë personat që ulen çdo të enjte në parlament, ndërkaq më të varfërit janë ata që i votojnë këta “intelektualë”. Në politikë hyn duke qenë i kualifikuar dhe për të bërë diçka të mirë për popullin tënd. Në fakt në vendin tonë ndodh e kundërta. Futen në politikë kriminelë, të pashkolluar, zullumqarë që nuk i sjellin asgjë të mirë politikës, popullit e vendit. Përkundër ata e zhytin atë në mjerim, korrupsion dhe krim! Sot vendimet për popullin i marrin të bindurit e kryetarit dhe lëpirësit e pushtetit. Në parlamentin shqiptar të viteve të fundit flitet për vjedhje dhe favorizime oligarkësh… Parlamentarët shahen çdo ditë me njëri-tjetërin për të afërm, fis, pasuri e favore. Të rinjtë sot janë në shkallë të madhe depresioni dhe ikin nga Shqipëria. Vendi po boshatiset nga të shkolluarit dhe po drejtohet nga të pashkolluarit… Në parlament niveli arsimimor është fiktiv. Ka nga ata deputetë që bëjnë gabime të mëdha drejtshkrimore në përditshmëri. Ka deputetë që s’kanë diploma universiteti. Ka dhe shumë deputetë me tituj shkencorë plagjiatura. Ka të tjerë të dënuar me burg, të akuzuar për përdhunime, krime, trafik droge apo qenie njerëzore! Ka deputetë që fëmijët e tyre i kanë në burgje ose ju drejtojnë klane mafioze ndërkombëtare! Kemi deputetë që s’njohin ligje, që kanë sulmuar insitucionet në mënyrë brutale e po ashtu edhe uniformat e shtetit apo shoqërinë civile! Kemi dhe nga deputetë që janë bërë të tillë, sepse mendojnë që mandatet i kanë me tapi apo të trashëguara! Nuk ka nevojë të merremi me emra të përveçëm për arsyen e thjeshtë që gjithkush i di këta sharlatanë të politikës sonë! Në parlament kanë mandat deputeti, persona me nivel intelektual tepër të ulët ose dhe injorantë komplet! Për të ndryshuar Kakistokracia, duhet të ndryshojë kodi zgjedhor, që pret rrënjët e tyre në Shqipëri.

Sharing is caring!